Antigonea 

Antigonea e krijuar në shekullin e III PK kishte një sipërfaqe prej përafërsisht 45 ha, rrethohej me mure të forta, rreth 4000 m të gjata që mbronin qytetin nga të gjitha anët dhe veçanërisht nga jugu dhe perëndimi ku, për shkak të natyrës së territorit, kishte më shumë rrezik. Një zjarr i madh duhet të ketë ndodhur në vitin 167 p.e.s , në kohën e pushtimit romak duke e shkatërruar krejt qytetin. Në pjesën perëndimore të qytetit, në zonën që ka pamjen më të bukur mbi Luginën e Drinosit, ndodhet Agoraja, qendra e qytetit. Agoraja, në anën veriore, është e kufizuar me një stoa (shëtitore) që është ndërtimi më i rëndësishëm publik brenda mureve të qytetit

Vizitori në Antigone mahnitet, jo vetëm me muret fortifikuese dhe rënojat e shtëpive të djegura brenda një nate dhe të ndërtuara 2 300 vjet më parë me blloqe të mëdha guri gëlqeror por aty impresionohesh, me zhvillimin e rregullt urbanistik dhe arkitekturor. Pjesët e zbuluara nga ekspeditat arkeologjike të rrugëve, shëtitoreve, trotuareve, kanalizime, punishteve, krojeve, objekteve publike,  japin një ide të plotë të planifikimit urban të qytetit, duke treguar se Antigonea është ndërtuar me një dekret të posacëm të Pirros

Rrugët kufizonin insulat ose blloqet e banimit. Një pjesë e banesave kanë dalë në dritë plotësisht nga gërmimet arkeologjike. Banesat janë të tipit, me oborr të brendshëm me kolonada, përreth të cilit ndodheshin ambientet e banimit dhe të punës. Gjetjet arkeologjike në ambientet e punës (zejtarisë) kanë dhënë dëshmi për aktivitetet ekonomike që kryenin banorët e qytetit. Për këtë arsye disa banesa kanë marrë emra të përveçëm konvencionalë, si banesa e lëkurëpunuesit, banesa e tezgjahistes, apo banesa e karrocierit